Çfarë është gripi?
Gripi është një sëmundje ngjitëse e rrugëve të frymëmarrjes e shkaktuar nga viruset e influencës. Ai mund të infektojë hundën, fytin dhe ndonjëherë edhe mushkëritë. Simptomat mund të jenë të lehta deri në të rënda dhe virusi mund të çojë edhe në humbje jete nëse shkakton inflamacion të rëndë në mushkëri. Edhe pse shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, qëndrimi në shtëpi kur jeni të sëmurë, mbulimi i gojës dhe hundës me pecetë kur kolliteni ose teshtini dhe larja e shpeshtë e duarve për t'ju mbrojtur nga mikrobet, mund të ndihmojnë në parandalimin e gripit, ekspertët e kujdesit shëndetësor bien dakord se vaksinimi kundër gripit është mënyra e vetme më efektive për të na mbrojtur ne dhe të tjerët nga sëmundja.
Çdo vit 3 deri në 11% e popullatës së përgjithshme infektohet dhe shfaq simptoma të gripit. Simptomat e rënda, shtrimi në spital dhe humbjet e jetës ndodhin kryesisht te grupet me risk të lartë. 90 për qind e humbjeve të jetës për shkak të gripit ndodhin tek të rriturit mbi 65 vjeç.
Ka 4 lloje të viruseve të influencës, lloji A, B, C dhe D. Influenca A dhe B shkaktojnë epidemi sezonale të sëmundjes. Virusi i influencës i llojit C mund të përhapet nga një person tek tjetri me anë të spërklave respiratorë. Virusi i influencës i llojit D prek kryesisht bagëtinë dhe mund të përhapet te kafshët e tjera, por nuk janë regjistruar raste që të ketë shkaktuar sëmundje te njerëzit.
Duke qenë se viruset e gripit ndryshojnë vazhdimisht, vaksina e gripit duhet përditësuar çdo sezon.2,3